BB: Mbi 34% e ekonomisë, informale

Buxheti i shtetit humbet çdo vit rreth 680 milionë dollarë të ardhura nga taksat e pambledhura. Shifra del nga një dokument i Bankës Botërore, i cili merr në analizë sistemet e taksave në rreth 61 vende të botës për periudhën 2000-2010.

Raporti i përgatitur nga dy ekspertë në departamentin e menaxhimit ekonomik në bankë, vëren se hendeku tatimor në Shqipëri, pra diferenca mes të ardhurave që duhet të mblidheshin nga taksat dhe atyre që mblidhen realisht është sa 4.87 për qind e prodhimit kombëtar, nëse merret parasysh dhe ekonomia informale.

Kjo e klasifikon Shqipërinë si një vend me efiçencë të dobët në mbledhjen e taksave, e cila sipas raportit është përkeqësuar veçanërisht pas vitit 2008, duke çuar në rritjen e hendekut tatimor.

Por ku shkojnë taksat që humbasin? Një pjesë e tyre, ndoshta më e madhja janë evazion, fshehje e qëllimtë e taksave nga biznesi dhe indvidët.

Sipas dokumentit, në Shqipëri mbi 34.1 për qind e ekonomisë është informale. Kjo bën që miliona dollarë, të cilat duhet të shkonin në arkën publike, të mbeten padrejtësisht në xhepat e privatëve.

Veç evazionit, një pjesë tjetër humbet përmes shmangieve, ku biznesi apo individët shfrytëzojnë boshllëqet e ligjit për të ulur barrën e taksave që duhet të paguajnë.

Ndërsa arsyeja e tretë që gërryen të ardhurat në buxhet lidhet me shtrirjen e dobët të shërbimeve fiskale për të informuar tatim paguesit mbi detyrimet që duhet të paguajnë. Këto janë tre arsyet kryesore të hendekut tatimor dhe të treja kanë një shkak: dobësinë e administratës fiskale dhe politikave tatimore.

Raporti thotë se Shqipëria ka hapësira të konsiderueshme për të rritur të ardhurat përmes politikave më efiçente të taksave dhe reformimit të administratës fiskale. Përfitimet do ishin të mëdha. 680 milionë dollarë që humbasin në vit janë gati sa 20 për qind e të ardhurave totale që mbledh buxheti dhe më shumë se defiçiti fiskal në një vit të zakonshëm.

Mbledhja e këtyre të ardhurave do të lehtësonte borxhin, si dhe mundësonte rritjen e fondeve për sektorët jetikë si arsimi dhe shëndetësia, ku Shqipëria prej vitesh po nëninveston.

Gjirofarm SH.A