BB akordon 32 mln euro hua për sistemin e shëndetësisë

24 Mars 2015 – Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka nënshkruar sot marrëveshjen e huasë prej 32.1 milion euro nga Bankën Botërore për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri.

Burime zyrtare të Ministrisë së Financave bënë të ditur, se projekti do të bashkëfinancohet gjithashtu nga qeveria shqiptare në vlerën 4 milionë euro, shumë që do të shërbejë për financimin në masën 37%, të punimeve të rehabilitimit fizik dhe përmirësimit të infrastrukturës spitalore, si dhe kontributin në pagesat e detyrimeve tatimore të lidhura me projektin.

Projekti i Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor kontribuon në forcimin e administrimit dhe qeverisjes në  spitalet publike; përmirësimin e mënyrës së financimit shëndetësor; zbatimin e sistemeve të informacionit për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

Nëpërmjet kësaj huaje dhe kostove lokale të financuara nga qeveria shqiptare do të punohet për reformimin e sektorit spitalor, duke krijuar një kornize të shëndoshë ligjore dhe manaxheriale për ofrimin e shërbimeve efikase; forcimin e menaxhimit të performancës dhe planifikimit, tejkalimin e kufizimeve operacionale në ofrimin e shërbimeve, si dhe forcimin e sistemit të referimit.

Gjithashtu, Projekti synon përmirësimin e monitorimit  dhe menaxhimit të cilësisë së shërbimit, duke ngritur një sistem gjithëpërfshirës të menaxhimit të informacionit shëndetësor (HMIS), dhe një sistem për menaxhimin e pajisjeve mjekësore dhe mirëmbajtjen e tyre. Projekti mbështet edhe iniciativat për të reformuar financimin shëndetësor në përgjithësi, për të përmirësuar sistemin e blerjes dhe shpërndarjes së produkteve farmaceutike dhe përdorimit të pajisjeve mjekësore, si dhe për të vlerësuar mundësitë e zgjerimit të mbulimit shëndetësor universal duke përdorur kalimin në një regjim të taksimit të përgjithshëm.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Cani për palën shqiptare, dhe nga znj. Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore për Shqipërinë

Huaja e akorduar nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BB), ka termat e mëposhtëm:

Shuma = 32,100,000 Euro

Tarifa Front-end = 0.25 % e shumës së huasë

Tarifa e Angazhimit = 0.25% në vit mbi balancën e patërhequr të huasë

Maturimi = 22.5 vjet, nga të cilat 7 vjet pa pagesë principali

Interesi = Norma Referencë (EURIBOR 6-mujor) plus

Marzhin e Pandryshueshëm  (1%)

Projekti do të zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe parashikohet të përfundojë në 28 Shkurt 2021.

Gjirofarm SH.A