BB, 150 mln dollarë shtetit shqiptar për energjetikën

4 Nëntor 2014 – Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore nënshkruan marrëveshjen prej 150 milionë dollarësh për financimin e sektorit energjetik.

Rreth 60 % e kredisë do të investohet në sistemin e shpërndarjes, që sipas Qeverisë është edhe pjesa më e dëmtuar e sektorit për shkak të mungesës së investimeve prej shumë vitesh. Ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për Koorporatën Elektro-Energjetike Shqiptare dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri shprehu se këto investime synojnë shëndoshjen e sektorit, liberalizimin e tregut dhe kthimin e sistemit energjetik në një sektor fitimprurës për ekonominë shqiptare.

“Me implementimin e suksesshëm të projektit, synojme të ulim humbjet totale në rrjet nga 40% mesatare sot, në 17% në vitin 2019; të rrisim nivelin e arkëtimeve nga 84% që është sot, në të paktën 93% në vitin 2019. Synojmë ta kthejmë sektorin energjetik, nga një sektor i zhytur në borxhe sot, ku pa këto ndërhyrje vetëm Operatori i Shpërndarjes në vitin 2018 do të akumulonte 800 milionë dollarë borxhe nga 540 milionë dollarë që i ka sot, në një sektor financiarisht të qëndrueshëm duke filluar nga viti 2018”, tha Gjiknuri.

“Kjo shumë prej 150 milione dollarësh do ta ndihmojë Qeverinë për një periudhë afatmesme dhe për të rikthyer besimin në sektor i cili është zgjidhja për shfrytëzimin e burimeve të nevojshme në sektorin energjetik në Shqipëri. Vendosja e këtij sektori në një rrugë të qëndrueshmë është e domosdoshme për të krijuar një mjedis biznesi tërheqës për investitorët dhe që gjeneron vende pune për brezat që vijnë” thotë Elen GoldStein, drejtoresha për Europën Juglindore në Bankën Botërore.

Qeveria thotë se në sinkron me kredinë e Bankës Botërore do të bashkëfinancojë edhe mbi 125 milionë dollarë të tjera për sistemin energjetik deri në 2020-ën.

Shpërndarja e kredisë

Sistemi i Shpërndarjes, 93 mln USD

Sistemi i Transmetimit, 20 mln USD

Mbështjetje për Importin e Energjisë, 30 mln USD

Mbështetje për Reforma në Sektor, 7 mln dollarë

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A