Banka e Shqipërisë, normë negative interesi

29 Shkurt 2016 – Kur kërkesa për kredi është e dobët bankat private i depozitojnë një pjesë të madhe të fondeve në bankat qendrore dhe për këtë marrin interes.

Por, në Europë Banka Qendrore jo vetëm që nuk paguan më interes, por e ka ulur normën në -0.3%, kjo e vendosi Bankën e Shqipërisë në një situatë të pazakontë.

“Për momentin ekzistonte një mospërputhje që sigurohej midis normës së kthimit, që sigurohej nga lënia e rezervave të tepërta tek Banka e Shqipërisë, me normën e kthimit që mund të sigurohej nga investimi i aseteve në euro në tregjet ndërkombëtare”, shprehet Marian Gjermeni, drejtori i operacioneve monetare, BSH.

Kapitali lëviz pa pengesa. Nëse ne Europë interesat janë negative, bankat vendase dhe të huaja do t’i depozitonin fondet në Bankën e Shqipërisë, por kjo do të trondiste bilancin e bankës. Për të parandaluar këtë situatë Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta ulë normën e depozitave në euro edhe më thellë se Banka Qendrore Europiane, në -0.55%.

“Për të barazuar më tepër normën e kthimit që sigurohet nga ky investim, si rezerva të tepërta të Bankës së Shqipërisë, me investimin në tregjet ndërkombëtare”, shprehet Gjermeni.

Por, ndonëse një masë e detyruar, kjo lëvizje ka një pasojë të drejtpërdrejtë në ekonomi.

“Ne presim që bankat të vijojnë të reagojnë nga kjo lëvizje e Bankës së Shqipërisë për të gjetur mundësi të tjera. Dhe në rastin konkret, duke parë që kthimet dhe në tregjet ndërkombëtare janë pak a shumë në të njëjtat nivele, pse jo për t’u kanalizuar dhe në ekonominë shqiptare në formën e kredisë”, thotë  drejtori i operacioneve monetare në BSH.

Veç kësaj, kjo lëvizje e Bankës së Shqipërisë do të ulë dhe më tej interesat që bankat shqiptare paguajnë për depozitat në euro të qytetarëve.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A