Banka Botërore: Çmimi i energjisë elektrike të rritet me 15-20%

6 Tetor 2014 – Banka Botërore kërkon rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Shqipëri në masën 15 – 20 %. Propozimi i Bankës Botërore ka ardhur pas aprovimit të kredisë 150 milionë dollarë për sektorin energjitik.

Në dokumentin zyrtar, Banka Botërore vlerëson se tarifat duhet të rriten nga 15 – 20 përqind, të paktën për shpërndarjen, në mënyrë që në vitin 2016 OSSHE të kthehet në kompani me fitim. Në raport, Banka Botërore këmbëngul se orientimi i tarifave drejt kostos reale është i nevojshëm.

Aktualisht çmimi mesatar i energjisë elektrike për familjarët është 9.53 lekë për kilovat orë, por Banka vlerëson se kjo tarifë nuk përfaqëson koston reale të sistemit.

“Projektimet tregojnë që me investimet intensive, me tarifa që reflektojnë koston dhe menaxhim më të mirë sektori mund të përmirësohet dhe kompanitë mund të kthehen në të shëndetshme financiarisht në një kohë të shkurtër. Sa i përket shpërndarjes së energjisë edhe me një rregullim në tarifave që parashikon rritje nga 15-20 përqind, OSHEE-së i duhet një kohë e gjatë për tu përmirësuar. Investimet janë vetëm hapi i parë për rimëkëmbjën pasi kompania mund të dalë me fitim vetëm në 2016, dhe në periudhën 2014-2019 kërkon sërish shtim të një shumë prej 112 milionë dollar për të ulur humbjet, borxhet dhe importin e enegjisë”, thuhet në raport.

Banka Botërore vlerëson vullnetin e Qeverisë shqiptare për të përmirësuar sistemin energjitik, megjithatë pavarësisht marrëveshjes me CEZ, situata e rrezikut ende nuk ka kaluar për aq kohë sa nuk mbyllet pagesa me çekët.

Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike i takon ERE, por qeveria ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimit për konsumatorët familjarë dhe se do të mbrohen shtresat në nevojë. Vendimi për çmimin e energjisë elektrike pritet të merret në muajin Dhjetor nga ERE.

(BalkanWeb)

Gjirofarm SH.A