Ambasada ruse: Vendimi i Kremlinit nuk prek furnizimin e Shqipërisë me grurin rus

21 Gusht 2015 – Përmes një njoftimi për shtyp gjatë së premtes, Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri ka hedhur poshtë lajmet mbi ekzistencën e një rreziku të ndërprerjes së eksporteve të grurit rus për në Shqipëri.

Duke konfirmuar vendimin e qeverisë ruse të datës 13 Gusht 2015, sipas të cilit Shqipëria është ndër 5 vendet e reja që përfshihen në “listën e zezë” të shteteve prej nga ndalohet importi në Rusi i prodhimeve bujqësore, Ambasada thekson edhe njëherë se ky vendim i Kremlinit parashikon vetëm ndalim të eksporteve shqiptare drejt Moskës, kryesisht lëndë të para bujqësore dhe ushqime, për shkak se Shqipëria u është bashkuar vendeve që kanë vendosur sanksione antiruse.

Njoftimi për shtyp i Ambasadës së Federatës Ruse thekson se regjimi i eksportit të mallrave ruse, përfshi edhe grurin, nuk preket nga vendimi i mësipërm i Kremlinit dhe se nuk do të bëhet kurrsesi nga Rusia, duke dashur kështu të qetësojë edhe ata që janë shqetësuar nga një ndërprerje e mundshme e furnizmit të Shqipërisë me grurin rus.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A