AIDA: Fond mbështetës për gratë sipërmarrëse

16 Tetor 2014 – Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka filluar punën për vënien në jetë të Vendimit të Këshillit të Ministrave për “Për Krijimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse”. Në një njoftim zyrtar AIDA fton institucionet financiare jobankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit, të aplikojnë për zhvillimin dhe implementimin e “Fondit të subvencionit të interesave të kredive për gratë sipërmarrëse”.

Qëllimi i përgjithshëm i fondit është të kontribuojë në rritjen ekonomike të sipërmarrjeve femërore duke nxitur investimet e reja nëpërmjet rritjes se financimeve nga institucionet financiare jo bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit.

Nëpërmjet këtij fondi, institucionet financiare jo bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit synojnë të gjenerojnë një financim prej 240 Milionë Lekë, duke parashikuar që në një periudhe 4-vjeçare të përfitojnë më shumë se 500 biznese, duke mundësuar rritje ekonomike të qëndrueshme dhe vende të reja pune. Ky fond do të sjellë siguri ekonomike, progres dhe inovacion në ndihmë të grave sipërmarrëse.

Ky program konsiston në pagesën e 50% të shpenzimeve të normës së interesit të kredive të biznesit për gratë sipërmarrëse, për një periudhë  4-vjeçare. Pagesa do të mbulohet nga MZHETS (AIDA) për kreditë që do të përdoren për investime në aktivitetin e biznesit.

Përfituesit përfundimtarë të projektit janë të gjitha ndërmarrjet të klasifikuara si biznese mikro, të vogla dhe të mesme, të drejtuara nga gratë (si pronare apo administratore) dhe që do të aplikojnë për një linjë kredie pranë Institucioneve financiare jo bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit, që operojnë në vend.

(AIDA)

Gjirofarm SH.A