Ahmetaj fton diasporën për investime në Shqipëri

25 Maj 2015 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj prezantoi para sipërmarrësve të diasporës shqiptarë mundësitë që ofron Shqipëria për investimet në zonat e lira ekonomike.  Ahmetaj i ftoi ata të bëhen pjesë e garës ndërkombëtare e cila hapet në muajin Korrik.

“Jo vetëm që i shmangen detyrimeve, por ofron 50% ulje për tatimfitimin, ka taksë zero infrastrukture, ashtu sikurse dhe për blerjen e “real estate” brenda zonës së lirë ekonomike. Me kujdes, në bilanc kemi ofruar një parajsë fiskale”, u shpreh ministri Arben Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj u ndal dhe te ligji për koncesionet, që pritet të lehtësojë procedurat për partneritetin publik-privat, ligjin e investimeve dhe atë të turizmit. Por, për ministrin e Diasporës së Kosovës ekzistojnë ende barriera mes dy vendeve, që duhet të kapërcehen sa më shpejt.

“Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një treg të përbashkët, pa asnjë pengesë. Pasi barrierat aktuale janë duke u shndërruar, por mund të shndërrohen, edhe në pengesa për zhvillime të tjera pozitive ekonomike mes nesh”, tha Valon Mirati, ministër i Diasporës së Kosovës.

“Është e vërtetë që ka barriera tarifore mes nesh dhe Kosovës, të cilat i kemi bërë pjesë të një procesi për t’i fshirë”, theksoi më tej ministri Arben Ahmetaj.

Projekte të tjera të shpalosura nga ministri Ahmetaj ishin ndërtimi i tre aeroporteve; të Vlorës, Sarandës e Kukësit, pas heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare të Aeroportit “Nënë Tereza”; apo ftesa ndaj sipërmarrësve të pranishëm për ndërtimin e porteve të jahteve apo hoteleve, ku për çdo hotel me 5 yje, siç u shpreh Ahmetaj, shteti ofron licencë falas për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A