Ahmetaj fton bizneset italiane: Investoni në Shqipëri

22 Tetor 2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Arben Ahmetaj ftoi sipërmarrësit italianë që të investojnë në Shqipëri. Në ditën e dytë të takimi Shqiperi-Itali partneritet për Europën, ministri Ahmetaj tha se qeveria po mbeshtet një model të ri ekonomik, që bazohet te bujqësia,turizmi dhe manifaktura.

“Ajo që ne duam është një rritje ekonomike e qëndrueshme, një rritje ekonomike që buron nga ringritja dhe rivitalizimi i sektorëve potencialë të ekonomisë, si bujqësia, manifaktura, turizmi, tregtia, shërbimet, pse jo industria mekanike, energjia apo të tjera. Fokusi ynë është rritja e eksporteve dhe thithja e investimeve të huaja direkte”, tha Ahmetaj.

Ministri tha se Shqipëria ofron një sërë avantazhesh por edhe sektorësh me potencial të lartë rritje, për investitorët e huaj. “Sfida e Shqipërisë, sfida e rajonit është që të zhvillojë një infrastrukturë fizike apo teknologjike, e cila ta bëjë tregun shqiptar, i cili është një treg i vogël me 2-3 milionë konsumatorë, ta bëjë pjesë integrale të një tregu shumë të madh, ku ne të arrijmë të shfrytëzojmë avantazhet tona konkurruese dhe pozicionin tonë gjeografik”, tha Ahmetaj.

Italia është vendi i tretë me investimet më të mëdha në Shqipëri, pas Greqisë dhe Kanadasë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, stoku i investime italiane në në ekonominë shqiptare llogaritej në 503 milionë euro.

(Top Channel)

Gjirofarm SH.A