27 Shkurt 2015 – Ministria e Financave ka bërë publike treguesit paraprakë fiskalë, duke theksuar se deri më tani ato janë brenda parashikimeve të këtij institucioni por në disa sektorë edhe ka kaluar pritshmëritë.
Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Financave thekson se të ardhurat buxhetore përgjatë muajit Janar të këtij viti, janë 26.4 miliardë lekë në ndryshim nga shuma prej 25.4 miliardë lekësh e një viti më parë, me një realizim në masën 103.7% ose 950 milionë lekë më shumë.
Po ashtu edhe të ardhurat nga tatimet kanë kaluar parashikimet e Ministrisë së Financave ku për muajin Janar, janë mbledhur 23.7 miliardë lekë ose rreth 768 milionë më shumë se parashikimi.
Më poshtë treguesit fiskalë të Ministrisë së Financave:
TË ARDHURAT E MBLEDHURA NGA ADMINISTRATA DOGANORE
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar:
Për Janar 2015, të ardhurat nga TVSH-ja në doganë janë 5.8 miliardë lekë ose 11.6 për qind më shumë se plani.
Akcizat:
Të ardhurat gjithsej nga Akciza për Janar 2015 arritën në rreth 1.8 miliardë lekë. Të ardhurat nga kjo taksë janë rritur në masën 10.1% për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014 .
Renta në Eksport:
Të ardhurat nga renta për periudhën Janar 2015 janë rreth 620 milionë lekë, 55 për qind më shumë se parashikimi
TË ARDHURAT E MBLEDHURA NGA ADMINISTRATA TATIMORE
Të ardhurat e mbledhura nga administrata Tatimore pa kontributet janë 7.6 miliardë lekë ose 1.4 për qind më shumë se plani .
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar:
Të ardhurat nga TVSH-ja në Tatime janë 4.1 miliardë lekë ose 39.4 për qind më shumë se plani. Krahasuar me një vit më parë këto të ardhura janë rritur me 42.1 për qind (1.2 miliardë lekë më shumë).
Tatimi mbi fitimin:
Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin janë 393 milionë lekë ose -73.6 për qind më pak se plani për periudhën. Kjo ulje e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin nuk ka lidhje aspak me uljen e aktivitetit të bizneseve, por me gjenerimin e deklaratave nga sistemi i ri i IT. Nga Janar 2015 filloi funksionimin sistemi i ri i IT, një sistem modern tatimor, ndër më të mirët në Evropën Juglindore, i cili ka sjelle edhe një mënyrë të re të deklarimit tatimor, rrjedhojat e të cili u ndjenë vetëm për muajin Janar 2015.
Taksa Nacionale:
Të ardhurat nga Taksat Nacionale janë 1.2 miliardë lekë ose 308.5 për qind më shumë se plani.