Komisioni i Ekonomisë miraton kredinë 100 mln euro me BERZH

21 Tetor 2014 – Komisioni i Ekonomisë miratoi gjatë mbledhjes së sotme marrëveshjen mes Ministrisë së Financave dhe BERZH për një kredi prej 100 milionë eurosh për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Zv/ministri i Financave, Erjon Luçi theksoi se kjo kredi merret për një garanci shtesë.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të ketë në dispozicion 100 milionë euro si një garanci më shumë për depozitat e individëve në sektorin bankar.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo kredi do të sigurojë të ardhura për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në qoftë se do të jetë e nevojshme për të kompensuar depozituesit e siguruar. “Ky instrument jepet në formën e një kredie gatishmërie e jo të një huaje, është i përshtatur për nevojat e ASD-së dhe është projektuar për të mbështetur Agjencinë në mandatin e saj të mbrojtjes së depozituesve të bankave në Shqipëri. Krediti i gatishmërisë do t’i japë mundësinë ASD-së të përmirësojë raportin e saj të mbulimit të depozitave”- thekson Ministria e Financave.

(BalkanWeb)

Gjirofarm SH.A