Fitimi i bankave bie me 17% në 2018-n, arrin 145 milionë euro; Ulen kreditë me probleme

Sistemi bankat e ka mbyllur vitin 2018 me një fitim neto prej 18.4 miliardë lekë, ose rreth 145 milionë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, që e raporton të dhënat sipas standardeve lokale.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, kur fitimi arriti në nivele rekord prej 22 miliardë lekësh, ky tregues ka rënë me 17%, që ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e rënies së të ardhurave, ku zëri me ndikimin kryesor është ai i humbjeve nga instrumentat financiarë.

Të ardhurat e bankave nga interesat, që është burimi kryesor, ranë me 1.8%, në 52.3 miliardë lekë si rrjedhojë e rënies së normave të interesit, një tendencë kjo që është në linjë me politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë për uljen e kostos së parasë, por edhe ngadalësimit të huasë, sidomos për bizneset.

Të ardhurat nga gjobat dhe komisionet, u rritën lehtë me 0.6%, duke arritur në 11 miliardë lekë.

Bankat kanë rritur dhe humbjet nga instrumentat financiarë, çka ka bërë që totali i të ardhurave bruto të bjerë me 6%, në 43 miliardë lekë.

Shpenzimet administrative kanë shënuar një rritje të lehtë, ndërsa provigjionet për huatë janë ulur, duke lehtësuar bilancet e bankave.

Rënia e fitimeve ka ndikuar dhe në përkeqësimin e treguesve të rentabilitetit. Kthimi nga aktivet (ROA) ishte mesatarisht 1.45% në 2017-n, ndërsa në vitin 2018 zbriti në 1.32.

Kthyeshmëria nga kapitali (ROE) arriti në 12.1%, nga 15.06% që ishte në 2017-n.

Gjirofarm SH.A